Në një atmosferë festive dhe me plotë emocione, është mbajtur ceremonia e diplomimit për nxënësit e gjeneratës së sivjetme. Në këtë ngjarje mori pjesë edhe nënkryetari i Komunës së Mitrovicës, z. Arian Tahiri, si dhe drejtoresha e Arsimit, znj. Drita Kadriu.
Gjatë fjalimit të tij, nënkryetari Tahiri uroi të diplomuarit për përfundimin me sukses të kësaj faze të rëndësishme të arsimit, duke theksuar se ata tashmë janë të përgatitur për të vazhduar studimet universitare dhe për të dhënë kontributin e tyre në shoqëri dhe në shtet.
“Është kënaqësi t’u drejtohem nxënësve të Gjimnazit ‘Frang Bardhi’, në ceremoninë e tyre të diplomimit. Ju tashmë keni përfunduar një fazë të rëndësishme të arsimit, duke u bërë gati për studime universitare, dhe duke u përgatitur që nesër t’i shërbeni shoqërisë e shtetit. Falënderoj edhe arsimtarët e gjimnazit, të cilët me përkushtim të madh edukojnë gjeneratë pas gjenerate,” u shpreh Tahiri.
Edhe drejtoresha Kadriu përgëzoi nxënësit dhe stafin pedagogjik për punën e palodhshme gjatë viteve të shkollimit, duke theksuar rëndësinë e arsimit cilësor dhe përgatitjes së të rinjve për të qenë faktorë ndryshimi në të ardhmen.
Ceremonia u përmbyll me shpërndarjen e diplomave dhe një program kulturor të përgatitur nga vetë nxënësit, duke reflektuar talentin, kreativitetin dhe entuziazmin e tyre për të ardhmen.